BËJENI EVROPËN NJERËZORE PËRSËRI
08 Gusht 2026
JRS BËN THIRRJE PARA KËSHILLIT EVROPIAN
Të nderuar Kryetarë të Shteteve dhe Qeverive të BE-së,
25 vjet më parë, pikërisht në këtë datë, paraardhësit tuaj sapo kishin rënë dakord të punonin së bashku “drejt një unioni të Lirisë, Sigurisë dhe Drejtësisë” në Konkluzionet e Këshillit të Tampere-s.
Ata u angazhuan ta bënin këtë përmes politikave të përbashkëta që mbështesin vlerat tona të përbashkëta të dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, barazisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut. Ata, dhe pasuesit e tyre, punuan së bashku për të harmonizuar mënyrën se si ne ofrojmë mbrojtje dhe sigurojmë gëzimin e të drejtave të njeriut për ata që detyrohen të ikin nga dhuna dhe përndjekja.
Mbajtja e standardeve të tilla të larta nuk është e lehtë. Kërkon guxim dhe forcë për t’u angazhuar, madje edhe kur situata rreth nesh duket se bëhet më sfiduese.
Në vitet e fundit, kemi qenë dëshmitarë të dobësimit të këtij angazhimi. Në javët e fundit, madje edhe më shumë. Në JRS, ne shprehim kundërshtimin tonë ndaj Paktit të fundit mbi Migracionin dhe Azilin. Një Pakt që zgjedh ndalimin dhe segregimin e njerëzve që kërkojnë mbrojtje në kufijtë e jashtëm të BE-së. Një Pakt që lejon shumë përjashtime kombëtare nga politikat e përbashkëta në kohë të ashtuquajtura krize. Një Pakt që promovon delegimin e përgjegjësisë për të mbrojtur njerëzit në vende jashtë BE-së.
Fatkeqësisht, këto zgjedhje tashmë po japin fruta të kalbura. Shtetet Anëtare po shpallin gjithnjë e më shumë ndryshime në legjislacionin dhe politikat kombëtare që shkojnë në kundërshtim me legjislacionin e përbashkët të BE-së.
Holanda dëshiron të përjashtohet nga Sistemi i Përbashkët Evropian i Azilit, Gjermania po prezanton kontrollin e brendshëm të kufijve, Polonia dëshiron të pezullojë të drejtën për të kërkuar azil në kufijtë me Bjellorusinë, Italia filloi të dërgojë njerëz e shpëtuar në det në një qendër ndalimi jashtë BE-së, në Shqipëri. Po ashtu, ne shohim se investimet e keqmenaxhuara evropiane në vendet e treta çojnë në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, si në qendrat e largimit në Turqi.
Përveç kësaj, qeveritë vazhdojnë të kërkojnë mënyra për të mbajtur migrantët larg, ose për t’i kthyer ata edhe para se të vendosen këtu, duke konceptuar ‘qendra rikthimi’ në vendet e treta që janë të dyshimta nga një perspektivë etike dhe realizueshmërie.
Ndërsa angazhimi për vlerat tona të përbashkëta shembet, padrejtësia dhe vuajtja rriten. Në JRS, ne e shohim këtë çdo ditë, duke i dëgjuar njerëzit në qëndrat e mbajtjes, duke mbështetur ata që kanë mbetur pa strehim, duke shoqëruar ata të cilëve kërkesa për azil u është refuzuar padrejtësisht. Të gjitha këto, ndërkohë që asnjë nga iniciativat e përmendura më sipër nuk ka ndonjë efekt të vërtetë për të parandaluar migrimin e njerëzve në Evropë
Nuk duhet të jetë kështu. Përgjigjja bujare dhe njëzëri e BE-së ndaj krizës së shpërnguljes ukrainase ka treguar se çfarë mund të arrijmë kur veprojmë së bashku dhe sipas vlerave tona. Bashkimi Evropian ende mund të ndryshojë drejtimin dhe të zgjedhë pa asnjë hezitim të veprojë sipas vlerave të tij themelore.
Zgjidhni të punoni së bashku për të projektuar mënyra inovative për të siguruar rrugë të sigurta dhe ligjore për njerëzit që po ikin nga dhuna dhe përndjekja.
Zgjidhni të kërkoni aktivisht dhe të shpëtoni njerëz në det, dhe të punoni së bashku për t’i çuar ata në portin më të afërt të sigurt në Evropë.
Zgjidhni pa ekuivok të respektoni të drejtën e të gjithë njerëzve për liri, dhe refuzoni përdorimin e ndalimit administrativ si një të keqe të domosdoshme.
Zgjidhni për mikpritjen dhe shoqërimin nga momenti që njerëzit mbërrijnë dhe dizajnoni së bashku modele dinjitoze të pritjes që lejojnë takimin me komunitetin local.
Zgjidhni të ndihmoni në ndërtimin e partneriteteve kuptimplotë me vendet e treta që synojnë të forcojnë vërtet sistemet e tyre të mbrojtjes dhe të mbështesin zhvillimin e tyre, jo për t’i bërë ata ekzekutorë satelitë të politikave jonjerëzore të BE-së
Para këtij Këshilli Europian, ju kërkojmë të besoni në vlerat tona dhe të zgjidhni ta bëni Evropën njerëzore përsëri.
Sinqerisht,
JRS Evropa