Historia ime nga Lyudmila Makey
08 Gusht 2026
Në prill të vitit të kaluar, arrita në Prishtinë. Kalova përmes katër shtetesh dhe nuk e dija se çfarë më priste. Pothuajse harrova gjuhën angleze që e kam mësuar në shkollë dhe universitet, dhe nuk e kuptoja gjuhën shqipe. Nuk kisha as miq as njohje. Por sot flas anglisht me besim dhe mund të komunikoj edhe pak në shqip. Unë dhe kolegët e mi ukrainas e morëm këtë mundësi falë kurseve të gjuhës. Ato u organizuan nga specialistët e JRS Kosova. Ata sigurojnë që refugjatët ukrainas të marrin kupon për blerjen e produkteve ushqimore në kohë.
Po ashtu organizuan kurse integrimi për ne, të mbështetur nga projekti MARDI-Caritas Zvicra në Kosovë. Për disa muaj, profesori Afrim Hoti i Universitetit të Prishtinës na mësoi historinë dhe studimet sociale të Kosovës. Ne jo vetëm që studiuam teorinë, por vizituam edhe qytete të ndryshme të Kosovës: Prizrenin, Gjakovën, Pejën. Provuam kuzhinën tradicionale të shqiptarëve. Për më tepër, unë rregullisht marr pjesë në koncerte dhe ngjarje artistike që mbahen në Prishtinë. Këto janë ChopinFest, Manifesta, Festivali i Operas dhe të tjera. U njoha me teatrin dhe kinematografinë e Kosovës, bëra miqesi me artistë dhe muzikantë.
Kohët e fundit, ekspozita ime e parë personale e pikturave “Lulëzimet Kundër Luftës” u mbajt në Muzeun e Historisë Kombëtare. Ajo u vizitua nga mysafirë të shumtë nga vende të ndryshme. Jam shumë e kënaqur të ndjej kaq shume interes për Ukrainën dhe mbështetjen nga populli i Kosovës. Kam pasur nderin të jem pjesë e delegacionit që shoqëroi Presidenten Vjosa Osmani në Strasburg. Kam qenë e pranishme gjatë fjalimit të saj në Parlamentin Evropian, bashkë me figura të tjera të njohura nga Kosova. Kjo është shumë e rëndësishme për mua. Nuk ndihem e vetmuar, kam shumë miq. Dhe më e rëndësishmja, vazhdoj të angazhohem në gazetari dhe të punoj për media ukrainase dhe evropiane.
Falënderoj programin profesional “Gazetarët në Rezidencë në Kosovë” për mundësinë për të jetuar dhe punuar në Kosovë. Shpresoj që kjo do të ndihmojë Ukrainën dhe Kosovën të afrohen më shumë me njëra-tjetrën pas fitores sonë ndaj agresorit rus.