Prilli në një pamje të shkurtër

08 Gusht 2026

JRS Kosova ka organizuar aktivitete të ndryshme gjatë muajit prill. Vazhduam punën tonë me azil kërkuesit duke qenë të pranishëm çdo ditë në qendër dhe duke mbështetur me Kurse të Gjuhës Shqipe, Kurse të Kompjuterëve dhe Mbështetje Shëndetësore për përfituesit tanë.

Në të njëjtën kohë, punuam me personat që kanë marrë Mbrojtje Ndërkombëtare duke ofruar kuponë mujorë për ushqim dhe produkte jo-ushqimore, mbështetje shëndetësore dhe gjatë kësaj periudhe 21 persona me Mbrojtje Ndërkombëtare u certifikuan në Kursin e Gjuhës Shqipe Nivel A1 dhe morën Certifikata të Trajnimeve për Integrim.

Në fund të prillit (17-24), në bashkëpunim me Caritas Switzerland, organizuam një Vizitë Studimore në Holandë, ku një delegacion i përbërë nga stafi i JRS, stafi i Caritas dhe stafi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, përkatësisht nga Departamenti i Ri/integrimit të Personave te Riatdhesuar dhe Integrimin e te huajve, pati mundësinë të vizitojë OJQ dhe bashki në Amsterdam dhe Utrecht. Delegacioni pati mundësinë të mësojë nga përvoja e Holandës për procesin e integrimit të të huajve dhe u kthyen shumë të frymëzuar për të zbatuar disa ide të marra nga kjo vizitë.