Trajnimet e Integrimit: Një Hap Drejt Përfshirjes dhe Pjesëmarrjes Aktive
15 Tetor 2026
Integrimi është një proces që fillon me njohjen e vendit ku jeton, me kuptimin e shoqërisë dhe me krijimin e mundësive për të qenë pjesë aktive e saj. Në këtë frymë, përmbyllëm me sukses Trajnimet e Integrimit për personat me mbrojtje ndërkombëtare në Kosovë.
Të organizuara përgjatë tetë ditëve dhe të ndara në katër module tematike, trajnimet ofruan njohuri dhe informacione të rëndësishme për jetën në Kosovë. Përmes sesioneve interaktive dhe diskutimeve me ekspertë të fushave të ndryshme, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen më mirë me historinë, kulturën, institucionet dhe jetën e përditshme në vendin ku jetojnë dhe po ndërtojnë jetën e tyre.
Nga njohja e kulturës te pjesëmarrja në shoqëri
Trajnimet nisën me modulin “Kultura dhe tradita në Kosovë”, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen më nga afër me kulturën, zakonet dhe traditat e vendit. Njohja e këtyre elementeve ndihmon në kuptimin e përditshmërisë dhe të mënyrës se si ndërtohen marrëdhëniet shoqërore në komunitetet ku jetojnë.
Përveç përmbajtjes së trajnimit, diskutimet gjatë sesioneve krijuan mundësi që pjesëmarrësit të ndanin pyetje, përvoja dhe perspektiva të ndryshme. Kjo e bëri procesin e të mësuarit më të ndërsjellë, duke krijuar hapësirë për dialog dhe mirëkuptim.
Moduli i dytë, “Historia e Republikës së Kosovës”, u përqendrua në zhvillimet kryesore historike që kanë formësuar Kosovën e sotme. Njohja e historisë së vendit ku jeton është një pjesë e rëndësishme e procesit të integrimit, pasi ndihmon në kuptimin e realitetit shoqëror, politik dhe kulturor të tij.
Pjesëmarrësit vazhduan më pas me modulin “Rendi kushtetues dhe rregullimi shtetëror”, i cili trajtoi mënyrën se si funksionon shteti dhe institucionet e Kosovës. Përmes këtij moduli, ata u njohën me parimet themelore të rendit kushtetues, institucionet publike dhe çështje të rëndësishme që lidhen me të drejtat dhe përgjegjësitë qytetare.
Njohja me mënyrën se si funksionojnë institucionet dhe mekanizmat shtetërorë është veçanërisht e rëndësishme për personat që ndërtojnë jetën e tyre në një vend të ri. Ajo u mundëson atyre të kuptojnë më mirë se ku dhe si mund të kërkojnë informacion, mbështetje dhe të marrin pjesë në jetën qytetare.
Moduli i fundit, “Shkathtësitë në jetën civile dhe të punës”, u fokusua në aspekte më praktike të përditshmërisë dhe jetës profesionale. Ky modul synoi të ofrojë njohuri dhe shkathtësi të dobishme për pjesëmarrjen në jetën civile, sociale dhe profesionale, duke e lidhur procesin e integrimit me mundësitë konkrete për përfshirje dhe pjesëmarrje aktive.

Më shumë se një trajnim
Integrimi ndërtohet përmes njohjes, mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë. Përmes këtyre trajnimeve, pjesëmarrësit fituan njohuri të reja, por edhe patën mundësinë të shkëmbejnë përvoja, të krijojnë lidhje dhe të diskutojnë tema që lidhen me jetën e përditshme në Kosovë.
Një shoqëri më e fortë ndërtohet kur askush nuk mbetet pas. Investimi në integrim është investim në bashkëjetesë, kohezion social dhe komunitete ku secili ka mundësi të marrë pjesë dhe të kontribuojë.
Falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit për përkushtimin dhe angazhimin e tyre gjatë këtij procesi. Ne vazhdojmë t’i mbështesim këto përpjekje dhe të kontribuojmë në krijimin e mundësive për një shoqëri më gjithëpërfshirëse.
Trajnimet u realizuan në kuadër të projektit “Rrugët drejt Integrimit Socio-Ekonomik për Refugjatët dhe Personat e Riatdhesuar në Kosovë”, në partneritet me Caritas Switzerland in Kosovo, si pjesë e projektit Holistic Opportunities for Migration and Diaspora Engagement (HOME), me mbështetjen financiare të Principatës së Lihtenshtajnit.
