Deklaratë e JRS Kosova me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve 2026

25 Qershor 2026

Me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve, dhe në një kohë kur Pakti i Bashkimit Evropian për Migrimin dhe Azilin po fillon të ndikojë në politikat migratore në rajon, Jesuit Refugee Service – JRS Kosova shpreh solidaritetin e saj me refugjatët, azilkërkuesit dhe të gjithë personat e detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në kërkim të sigurisë dhe mundësisë për të rindërtuar jetën e tyre me dinjitet.

Përmes pranisë dhe shoqërimit tonë të përditshëm të refugjatëve dhe migrantëve në Kosovë, ne shohim si qëndrueshmërinë dhe forcën që njerëzit mbartin, ashtu edhe sfidat e shumta me të cilat ata vazhdojnë të përballen. Ne e njohim rëndësinë e sistemeve funksionale të migrimit dhe azilit. Në të njëjtën kohë, besojmë se politikat dhe procedurat duhet të mbeten të mbështetura në respektimin e dinjitetit njerëzor, mbrojtjes dhe përgjegjësisë së përbashkët.

Megjithëse Kosova nuk është drejtpërdrejt e obliguar nga Pakti i BE-së, zbatimi i tij do të ndikojë në mënyrë të pashmangshme në qeverisjen e migrimit në rajon, përfshirë vendet që po harmonizojnë sistemet e tyre me standardet evropiane. Ndërsa Kosova vazhdon përpjekjet për forcimin e kornizës së saj të azilit dhe integrimit, është e rëndësishme që këto zhvillime të udhëhiqen nga mbrojtja, përfshirja dhe realitetet me të cilat përballen personat që kërkojnë siguri.

Politikat migratore nuk mund të formësohen vetëm përmes prizmit të menaxhimit të kufijve apo efikasitetit administrativ. Kur mbrojtja bëhet dytësore, njerëzit rrezikojnë të mbeten në situata të pasigurisë së zgjatur dhe cenueshmërisë.

Nga prania jonë e përditshme në qendrat e pranimit dhe akomodimit, si dhe përmes punës sonë me personat me mbrojtje ndërkombëtare, ne vazhdojmë të hasim pengesa që e vështirësojnë integrimin, përfshirë:

  • Qasje të kufizuar në strehim të qëndrueshëm dhe mbështetje afatgjatë për integrim;
  • Pengesa në qasje në punësim, arsim dhe njohje të kualifikimeve dhe aftësive;
  • Mungesa në mbështetjen psikosociale dhe juridike, veçanërisht për individët dhe familjet në situata të cenueshme;
  • Sfida administrative dhe institucionale që mund të zgjasin pasigurinë dhe përjashtimin social.

Në të njëjtën kohë, ne vlerësojmë përpjekjet e institucioneve të Kosovës për forcimin e kornizës ligjore dhe institucionale për integrim dhe mbrojtje. Dialogu i vazhdueshëm ndërmjet institucioneve, shoqërisë civile dhe komuniteteve lokale mbetet thelbësor për të siguruar që politikat t’u përgjigjen nevojave reale dhe të respektojnë dinjitetin dhe të drejtat e çdo personi. Diskutimet e vazhdueshme për forcimin e kornizës rregullative për integrimin e të huajve paraqesin një mundësi të rëndësishme për ndërtimin e qasjeve më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Në këtë Ditë Botërore të Refugjatëve, JRS Kosova bën thirrje për:

  1. Politika të migrimit dhe azilit që vendosin në qendër dinjitetin njerëzor dhe mbrojtjen, duke garantuar procedura të drejta dhe kushte dinjitoze të pritjes;
  2. Investim më të madh në integrim, veçanërisht në qasje në strehim, mësim të gjuhës, mundësi punësimi, mbështetje psikosociale dhe pjesëmarrje në komunitet;
  3. Bashkëpunim më të fuqishëm ndërmjet institucioneve, komunave, shoqërisë civile dhe komuniteteve të refugjatëve, në mënyrë që përgjigjet të bazohen në përvojat e jetuara dhe realitetet lokale;
  4. Solidaritet dhe mirëkuptim më të madh, duke i parë refugjatët jo thjesht si persona në nevojë, por si individë me potencial, aspirata dhe aftësi për të kontribuar në shoqëri.

Në JRS Kosova, ne mbetemi të përkushtuar për të shoqëruar, shërbyer dhe avokuar për personat e detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Ne besojmë se një shoqëri bëhet më e fortë kur dinjiteti, mikpritja dhe përfshirja u ofrohen të gjithëve.

Shpresa nuk njeh kufij. Mikpritja fillon me ne.