Festimi i përvjetorit të themelimit: Një ditë shprese, solidariteti dhe përkushtimi
08 Gusht 2026
Më 14 nëntor, shënuam përvjetorin e themelimit, një moment që pasqyroi misionin dhe vlerat tona të shpresës, shërbimit dhe drejtësisë. Ngjarja, që përkoi me ditëlindjen e themeluesit tonë, At Pedro Arrupe, u shndërrua në një ditë reflektimi, mirënjohjeje dhe angazhimi për të ardhmen.
Festa nisi me një mirëseardhje të ngrohtë për miqtë, partnerët dhe bashkëpunëtorët që kanë qenë mbështetës ndër vite. Një video përkujtimore e riktheu kujtimet për hapat e parë të këtij misioni, duke treguar transformimin e vizionit të At Arrupes në një organizatë globale që ndihmon mijëra njerëz në mbarë botën.
Drejtoresha e vendit ndau fjalët e saj mbi ndikimin e krijuar në nivel lokal dhe rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët. Ajo vlerësoi përkushtimin e ekipit, i cili çdo ditë punon për të fuqizuar miqtë tanë, duke u ofruar jo vetëm mbështetje, por edhe shpresë për të ardhmen.
Një nga momentet më prekëse të ditës ishte shfaqja e një videoje që ndante historitë personale të disa prej miqve tanë. Këto rrëfime ishin një dëshmi e fuqisë së përkushtimit dhe bashkëpunimit në ndryshimin e jetëve. Më pas, Sami Nuri ndau historinë e tij inspiruese për rrugëtimin drejt fuqizimit dhe rritjes personale, një shembull i gjallë i ndikimit të këtij angazhimi.
Pjesë e rëndësishme e ngjarjes ishte ndarja e çertifikatave të mirënjohjes për partnerët dhe donatorët që kanë qenë një shtyllë e rëndësishme për misionin. Në mesin e tyre u vlerësuan organizata dhe institucione që kanë ofruar mbështetje të vazhdueshme.
Ngjarja u përmbyll me një mesazh reflektues që ritheksoi misionin: të shërbejmë me dashuri, të fuqizojmë përmes mundësive dhe të ndërtojmë shpresë për ata që janë larguar nga vendet e tyre. Më pas, pjesëmarrësit u ftuan në një koktej festiv, duke krijuar një atmosferë bashkimi dhe solidariteti.
Ky përvjetor na rikujtoi se puna jonë nuk është vetëm ndihmë praktike, por një angazhim për të qëndruar krah për krah me ata që kanë më shumë nevojë. Përmes vlerave të shpresës, drejtësisë dhe solidaritetit, mbetemi të përkushtuar për të ndërtuar një botë ku çdo individ ka mundësi, dinjitet dhe një vend që mund ta quajë shtëpi.
